
Ceremoni për stadiumin pa sportistë – në Gjilan nisi fushata, jo punimet
Pamjet që vijnë nga “gurthemeli” i stadiumit të Gjilanit nuk janë skenë nga një projekt sportiv. Janë skenë fushate politike.
Asnjë futbollist. Asnjë legjendë e sportit. Asnjë përfaqësues i tifozerive, që e kanë mbajtur këtë qytet gjallë me atmosferën e derbit Drita–Gjilani. Asnjë fëmijë, që do të duhej të ishte fytyra e së ardhmes së sportit.
Por ja ku janë të gjithë aktorët politikë të partisë në pushtet – nga Albin Kurti e deri te kryetari lokal Alban Hyseni, me ministër, zëvendësministre e fotograf zyrtar pas shpine.
Nëse dikush ende ka iluzione se kjo është ceremoni për një stadium futbolli, mjafton një vështrim në këtë fotografi: një tavolinë, disa fletë projekti, dhe një rreth njerëzish të zgjedhur jo për meritat sportive, por për lidhjet partiake. Kjo nuk është gurthemeli i stadiumit – është kulmi i shndërrimit të sportit në vegël propagandistike.
Edhe më skandaloze bëhet situata kur e sheh se mungon krejtësisht përfaqësuesi më i lartë i futbollit në vend – presidenti i FFK-së. Ky është stadium futbolli, nën juridiksionin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Dhe në vend që të ishte pjesë thelbësore e procesit, FFK-ja as që ftohet. Në vend të profesionistëve të futbollit, vendin e zënë figurat politike që për katër vite vetëm e kanë shtyrë e ricikluar këtë projekt.
E si për të mos mjaftuar kjo, mungesa më e dhimbshme është ajo e vetë historisë së futbollit të këtij qyteti. Legjenda si:
Erkrem Beqiri
Muharrem Sahiti
Naser Bunjaku
Nehat Osmani
Rabit Matoshi
Shefket Sermaxhaj
Skender Hoxha
Sabri Dermaku
Veton Xhemajli
Muhamer Abdullahu
…e shumë të tjerë, nuk ishin as të ftuar. Si mund të hidhesh një gurthemel stadiumi, pa ata që ndërtuan themelet e lavdisë sportive të Gjilanit?
Albin Kurti, pas shumë premtimeve, vendosi të kujtohet për stadiumin e Gjilanit pikërisht tani – kur qyteti po shkon drejt zgjedhjeve lokale në vjeshtë. Rastësi? Sigurisht që jo. Ky nuk është fillimi i punimeve – ky është fillimi i një tjetër premtimi të shndërruar në show politik.
Ndërtimi i një stadiumi duhet të jetë një ngjarje për komunitetin sportiv, për qytetin, për ata që e kanë mbajtur këtë pasion të gjallë ndër vite. Ajo që pamë sot ishte një aktivitet i mbyllur, i ndarë nga njerëzit e futbollit, nga historia e këtij qyteti sportdashës, nga vetë arsyeja pse ekziston ideja e ndërtimit të një stadiumi.
E nëse dikush mendon se me këtë ceremoni është “shlyer” borxhi i 4 viteve stanjacion dhe zvarritje, ka gabuar. Qytetarët nuk harrojnë. As sportdashësit, as tifozeritë e flakta, as fëmijët që ëndërrojnë të luajnë aty ku sot mungonin me përbuzje.
Përfundimisht, nëse ky është vizioni i qeverisë për sportin – atëherë sporti në Kosovë ka nevojë për mbrojtje, jo për “mbështetje” politike. /preshevajone/