Ceferin: Të bashkuar kundër Superligës, futbolli nuk është në shitje
Në ditën që Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian dha një vendim historik (sipas së cilit monopoli i UEFA-s shkel rregullat e konkurencës), që i hap rrugën krijimit të Superligës europiane, presidenti i qeverisë së futbollit europian, Aleksander Ceferin ka reaguar në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
“E shoh këtë vendim si një mundësi për të përmirësuar rregullat. Gjëja më e rëndësishme është që futbolli mbetet i bashkuar, këtë e tregon fakti që këtu janë të pranishëm të gjithë përfaqësuesit e futbollit europian. Kemi në krahun tonë edhe qeveritë kombëtare dhe institucionet kombëtare. Vendimi i Gjykatës Europiane është bazuar mbi vendimin e Gjykatës së Madridit”, ka thënë fillimisht Ceferin.
Në lidhje me projektin e Superligës, numri një i UEFA-s ka shtuar: “Nuk merr parasysh meritat sportive. Mund të jesh ose jo pjesë e sistemit, por është e sigurt që projekti i prezantuar sot është akoma më i mbyllur se ai që u prezantua në vitin 2021, që u refuzua nga e gjithë bota e futbollit.
Sot morëm konfirmime se Superliga është një projekt i mbyllur dhe jo i hapur. Skuadra si Girona dhe Atalanta nuk mund të kualifikohen dhe kjo nuk do të ishte e drejtë. Ne nuk do të tentojmë ti ndalojmë, nuk e kemi bërë kurrë. E kemi thënë më shumë se një herë dhe duam ta theksojmë: futbolli nuk është në shitje”, ka thënë mes të tjerash presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin.