Castellanos nuk mjafton, Milik vjen nga stoli dhe dërgon Juven në finale
Juventus është skuadra e parë finaliste e Kupës së Italisë.
Bardhezinjtë u mposhtën me rezultatin 2-1 nga Lazio në “Olimpico”, por ia dolën të kalojnë në finale falë suksesit 2-0 në ndeshjen e parë të luajtur në “Allianz Stadium” të Torinos, teksa tashmë do të presin përballjen Atalanta-Fiorentina për të mësuar kundërshtarin e finales.
Lazio provoi përmbysjen e madhe në kryeqytet dhe ishte sulmuesi Taty Castellanos ai që entuziazmoi bardhekaltrit, duke shënuar dy herë, një gol në pjesën e parë dhe një tjetër në nisje të të dytës.
Nga ana tjetër skuadra e Allegrit provoi me të gjitha mënyrat të shënojë golin që do ta dërgonte në finale dhe arriti të dërgojë topin në rrjetë me anë të polakut Milik në minutën e 83-të, duke bërë që në “Olimpico” të bjerë heshtja.
Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin 2-1 për Lazion, që nuk shërben për të avancuar më tej, teksa Juventusi do të ketë mundësi të shpëtojë sezonin, duke fituar të paktën Kupën e Italisë.