Cannavaro vetëofrohet për stolin e Napolit: Koha të kthehem në shtëpi
Situata në kampin e Napolit vazhdon të mos jetë e qetë pas humbjes përballë Torinos dhe zërave që qarkullojnë për një largim të mundshëm të trajnerit Walter Mazzarri.
Ndonëse është përgënjeshtruar lajmi i dorëheqjes së teknikut, po mendohet për të ardhmen dhe ka edhe nga ata që vetëofrohen për ta zëvendësuar siç është Fabio Cannavaro.
Pas eksperincës te Benevento, fituesi i Topit të Artë në vitin 2006, ka thënë se është gati që të marrë drejtimin e skuadrës ku është formuar si futbollist: “Një rikthim në shtëpi? Ndoshta ka ardhur koha. Më duket momenti i duhur dhe unë jam gati”, ka thënë Cannavaro.
Por duhet të japë miratimin presidenti Aurelio De Laurentiis, që kjo dëshirë e ish-mbrojtësit të bëhet realitet.
Në një intervistë për “Tuttosport”, Cannavaro tregon se deri tani nuk ka patur kontakte me numrin një të Napolit.
“Ai që vendos është presidenti dhe sinqerisht nuk më ka ardhur ndonjë mesazh nga ai.
Kontakti konkret ka qenë me turqit e Besiktas, por pak ditë më parë ata vendosën që ti besojnë stolin Fernando Santosit”, ka thënë mes të tjerash Cannavaro.