
Canaj: Grenelli është njeriu i dytë më i rëndësishëm në ShBA, Kosova ka nevojë për një qeveri të dijes
Ish-diplomati Blerim Canaj ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të janë ftohur, pavarësisht deklaratave të Qeverisë për lidhje të mira me aleatin strategjik.
Ai ka nënvizuar se diplomatët amerikanë kanë bërë të qartë se raportet janë të tensionuara.
“Nuk duhet as të mendojmë shumë për atë, pasi vetë aleatët na kanë folur për raportet tona me ta. Edhe pse nga Qeveria kemi dëgjuar që raportet me ShBA-të kanë qenë të mira, nga ana tjetër diplomatët amerikan na kanë bërë të qartë që raportet Kosovë-ShBA janë të ftohura.Tani e kem një Donald Trump për të cilin e dijmë të gjithë që është i paparashikueshëm. Marrëdhëniet e ftohura me aleatët tanë dhe me një paparashikueshmëri të Donald Trump, i bie që ne në Kosovë jemi në një mjegull”, tha Canaj.
Canaj e ka cilësuar rikthimin e Donald Trump si një faktor të paparashikueshëm që ndikon në marrëdhëniet me SHBA-të, duke theksuar se Kosova duhet të ketë një qeveri të dijes që të lexojë situatat e krijuara dhe të rreshtohet në interesat e SHBA-së.
“Tani Kosova duhet të ketë një qeveri të dijës, që sidomos në politkën e jashtme të kenë kapacitetin për t’i lexuar situatat e krijuar dhe gjithmonë duke u rreshtuar drejt, sepse shtetet e vogla i ndihmon rreshtimi i drejtë, kjo nënkupton që mos të marrësh anë. Ne e kemi një Donald Trump që dëshiron t’ia bëjë të qartë Evropës që siguria e tyre varet nga ShBA-të”, thotë ai.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se çdo përplasje me figurat kyçe të administratës amerikane mund të dëmtojë sigurinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Richard Grenell, nëse nuk është personi i dytë më i rëndësishëm afër Donald Trumpit, atëherë është i treti. Si qytetarë i Republikës së Kosovës nuk do të dëshiroja që një kryeministër i vendit tim, të ketë marrëdhënie konflituoze me personin e dytë apo të tretë të Amerikës, duke ditur që ShBA-të janë garantuesi kryesor i sigurisë në Kosovës. Kjo i bie që ftohja e marrëdhënive me Amerikën, mund të ketë impakt edhe në siguri dhe në shtetësinë e Kosovës, sepse gjithmonë shtetet kanë nevojë për etablim në arenën ndërkombëtare, e tablimin tonë e ka ndihmuar Amerika, edhe pavarësinë tonë e ka ndihmuar më shumë Amerika se Bashkimi Evropian, ku ky i fundit edhe sot sillet indiferente ndaj pavarësisë së Kosovës”, tha Canaj për GazetaBlic.