Cana: Në FFK ka njerëz shumë profesionistë dhe ata janë duke bërë punë të madhe për ta gjetur selektorin më të mirë
Tashmë Federata e Futbollit të Kosovës është duke punuar shumë në gjetjen e përzgjedhësit të ri të Kombëtares A të Kosovës nw futboll i cili do t’i udhëheq dardanët në kualifikimet në Ligën e Kombeve si dhe në kualifikimet për kampionatin botëror.
Ish-futbollisti i njohur kosovar Agim Cana, ka thënë se është shumë i qetë dhe i bindur që FFK do ta gjejë selektorin më të mirë pasi aty ka njerëz shumë profesionistë që me shumë seriozitet po punojnë në këtë drejtim.
“Në FFK ka njerëz që janë përgjegjës dhe të autorizuar me gjet një selektor ashtu siç na konvenon. Nuk dyshoj aspak në ta dhe po e shoh që janë duke punuar me seriozitet shumë të madh në këtë drejtim dhe shpresoj ta gjejnë një selektor që na konvenon”, ka thënë fillimisht Cana për Open-tv duke shtuar.
“Shtrohet pyetja nëse duhet të jetë trajneri vendor apo i huaj. Sipas mendimit tim duhet të analizohet mirë se në cilën anë të vendos FFK. Përse jo një t’i besohet një trajneri kosovar apo shqiptar, por mos harrojmë se aty është përgjegjësi e madhe. Kosova ka ekipi të mirë dhe organizim të mirë kështu që duhet kujdes. Nuk kam të drejtë të përzihem në punët e tyre por e di që aty ka njerëz të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, kështu që jam shumë i qetë pasi e di që do ta bëjnë zgjedhjen më të mirë.
Me këtë grup që ka Kosova mund të bëjë befasi të mëdha, ne kemi vuajtur në të kaluarën por ishin disa gjëra sekondare që na penguan të kemi sukses, dhe këtë herë po besoj se do të kemi sukses të madh”, ka përfunduar Agim Cana.