Cakolli tregon si mund të jetë shpërndarja e mandateve në Kuvend

Cakolli tregon si mund të jetë shpërndarja e mandateve në Kuvend

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka publikuar një grafikon të shpërndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës pas përmbylljes së numërimit të të gjitha votave nga vendvotimet e rregullta, votave nga diaspora sikurse ato përmes postës edhe nga misionet diplomatike, dhe sipas tij, shpërndarja e mandateve është e qartë dhe nuk pritet të ketë më ndryshime pas numërimit të votave me kusht, proces ky që po vazhdon në QNR.

Sipas përllogaritjeve, të nxjerra nga Cakolli, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës, 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës, 20 deputetë, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 8 deputetë.

“LVV – 48 mandate, PDK – 24 mandate, LDK – 20 mandate, AAK – 8 mandate. Nëse nuk ndodhë ndonjë trend krejtësisht i pazakontë, votat me kusht nuk do të sjellin asnjë ndryshim në shpërndarjen e mandateve. Në të gjitha zgjedhjet e kaluara, këto vota kanë ndjekur pothuajse të njëjtin trend si votat e rregullta – me një rritje të lehtë për partinë e parë. E vetmja rrethanë, e cila mund të prodhojë lëvizje në (një të vetëm!) mandate, është nëse LDK arrin të marrë mbi 20% të votave me kusht, duke fituar një mandat nga PDK. Por, për këtë, do të duhej një ndryshim i dukshëm i trendit, që nuk ka ndodhur më parë. Andaj, me shumë gjasë, ky do të jetë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve”, ka shkruar Cakolli.

Share This