Cafu: Ronaldinho më i miri, ja rekordi që më bën krenar
Ish-mbrojtësi brazilian Cafu ka dhënë një intervistë të gjatë për “Il Messaggero” gjatë së cilës ka trajtuar tema të ndryshme:
“Më i forti nga të gjithë me të cilët kam luajtur është padyshim Ronaldinho. Ajo që e pashë të bënte me topin është e pashpjegueshme. Pastaj vjen Ronaldo fenomeni. Nëse nuk do të ishte dëmtuar do të kishte thyer çdo rekord. I treti? Jam vërtet në telashe. Sepse kam luajtur me lojtarë shumë të mirë dhe të fortë. Nga Shevchenko te Rivaldo, pa harruar Seedorf, Pirlo, Totti, Djalminha, janë kaq shumë. Madje për një kohë mendoja se Pato mund të bëhej qendërsulmuesi më i fortë në botë. Nëse vërtet duhet të them një emër, unë do të zgjedh Tottin. Po, Francesco e meriton”, ka thënë Cafu.
Më pas ai shton: “Në karrierën time kam fituar… Dy Kupa Bote, dy Kupa të Amerikës, një Kupë Konfederatash, dy tituj në Itali, një në Brazil, një Champions League, dy Superkupa italiane, dy Kupa Libertadores, dy Recopa të Amerikës së Jugut, një Superkupë të Amerikës së Jugut, dy Kupa Ndërkontinentale plus Kupën e Botës për Klube, një Kupë Kupash, një Superkupë Evropiane… kushedi nëse po harroj diçka. Megjithatë rekordi që më pëlqen është se jam i vetmi futbollist në histori që ka luajtur tre finale radhazi të Kupës së Botës”, ka thënë mes të tjerash Cafu.