Çadraku: Kadri Veseli s’më ka zgjedhur mua në sektorin e ZKZ-së

Çadraku: Kadri Veseli s’më ka zgjedhur mua në sektorin e ZKZ-së

Dëshmitari Halil Çadraku ka thënë se në pozitën e shefit të Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ) ishte emëruar nga komandant “Drini” (Ekrem Rexha) dhe jo nga Kadri Veseli.

“Nga pjesa ime, unë kurrë nuk e kam pa Kadri Veselin që të flasë për mua me mua. Domethënë, nuk ka qenë Kadri Veseli ai që më ka përzgjedh ose mua nuk më ka thënë ‘Drini’ diçka më tutje përpos që ai personalisht më ka përzgjedhur, duke u bazuar në fjalët e shumë ushtarëve aty përreth që më njihnin gjatë shkuarjeve e ardhjeve të mija në Shqipëri e Kosovë”, ka thënë Çadraku.

Përpara kësaj, dëshmitari ka thënë se propozimi për ta marrë pozitën në sektorin e Zbulim-Kundërzbulimit ishte i papritur, për arsye se nuk e dinte fillimisht se çfarë përmbante kjo pozitë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë isha i befasuar sepse as nuk kisha njohuri për këtë sektor se çfarë duhet të bëj. Isha i mësuar të jem një ushtar i thjeshtë, një ushtar i përgjegjshëm, një ushtar punëtor, një ushtar që më shumë punonte fizikisht sesa në mënyrë të fshehtë se ai thoshte që është shërbim i fshehtë. Isha i befasuar se nuk kam pas asnjë dijeni për këtë sektor dhe për këtë lami”, ka thënë Çadraku.

Ai ka deklaruar se deri në atë kohë, kurrë nuk kishte bërë punë që kanë të bëjnë me fushën e zbulimit. Çadraku ka thënë se në fillim, vazhdimisht e kishte refuzuar këtë detyrë, me arsyetimin se mendonte që nuk është personi adekuat që mund ta drejtojë këtë sektor.

Ai ka thënë se pas insistimit të “Drinit”, mendja e tij ishte mbushur për hir të çështjes dhe jo nga ambicia e tij si person.

“Mua në nëntor, ‘Drini’ me ka përzgjedhur për këtë sektor. Kurse emërimin me letër e kam marrë më 8 janar nga shefi i shtabit të përgjithshëm, Bislim Zyrapi”, ka thënë Çadraku.

Dëshmitari ka thënë se për emërtimin e G2-shit e ka pyetur komandant “Drinin” se çka është. E ky i fundit, ia kishte përshkruar se G2-shi është sikur ZKZ-ja në ushtritë lindore apo Shërbimi Informativ Kombëtar në ushtrinë e Shqipërisë ose ShIK-u.

Ndërsa, pas luftës, dëshmitari ka thënë se i kanë quajtur si Departament Informativ. G2-shi, ShIK dhe ZKZ, për dëshmitarin nuk kanë pasur dallime dhe sipas tij ai kurrë nuk i ka ditur këto dallime.

“Pas luftës mendoj që kam shkuar në Shtab të Përgjithshëm për takime javore me sektorin dhe mbaj mend që Fadil Kodra më ka thënë se tani këto janë të ndryshme, ShIK-u është diçka tjetër, ZKZ është diçka tjetër. Është e vërtetë se pas luftës e kam kuptuar që ato dy drejtime janë krejtësisht tjera”, ka thënë Çadraku.

Çadraku ka thënë se Fadil Kodra ka qenë shef i ZKZ-së në shtabin e përgjithshëm të UÇK-së gjatë periudhës së pasluftës.

“Fadil Kodra ka qenë shefi i ZKZ-së në shtabin e përgjithshëm pas luftës. Ne ende e vazhduam deri më 19 shtator të ishim me uniformën e UÇK-së. Edhe pas transformimit, mendoj që Fadil Kodra ka qenë shef i atij sektori si TMK”, ka thënë Çadraku.

Share This