Bylbyl Sokoli optimist: Nëse kuqezinjtë kalojnë grupin, mund të luftojnë për finale
Teksa jemi vetëm pak ditë para nisjes së Euro 2024, të gjithë nxitojnë për të dhënë parashikimet e tyre.
I ftuar në një emision në Kosovë, trajneri i njohur, Bylbyl Sokoli foli me doza optimizmi për ecurinë e mundshme të Shqipërisë, në një grup, ku është edhe Italia, Spanja e Kroacia.
“Unë mendoj që Shqipëria edhe me 3 pikë, me 3 barazime, do të ketë gjasa të shkojë më tutje. Do të jetë sukses i madh nëse nuk pëson humbje dhe i fiton 3 pikë, kundër Spanjës 1 pikë, Italisë 1 pikë dhe Kroacisë 1 pikë.
Kundërshtarët që ka Shqipëria janë super favoritë dhe do të jetë shumë e vështirë. Do të jetë aq e vështirë sa që nëse Shqipëria kalon grupin, do të luftojë për finale. Jam i sigurt se do të jetë kundërshtar i fortë dhe do të ketë përfaqësim dinjitoz”, tha Sokoli për “Dueli Sportiv” në “RTV Dukagjini”.