Buzëqesh Allegri, ndaj Interit kthehen dy lojtarë të rëndësishëm
Juventusi nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në ndeshjen e fundit në kampionat përballë Empolit, por të paktën Massimiliano Allegri mund të marrë frymë i lehtësuar në prag të ndeshjes së madhe kundër Interit, që do të luhet të dielën e ardhshme.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, në ditët e ardhshme do të stërviten plotësisht me grupin Adrien Rabiot dhe Federico Chiesa, që do të jenë të gatshëm për supersfidën kundër zikaltërve, që mund të vendosë shumë në garën për titullin kampion këtë sezon në Serie A.
Dy lojtarët ishin mungesat e mëdha në këtë pjesë të parë të sezonit: francezi ka munguar për shkak të një dëmtimi në pulpë, ndërsa numri 7 ka ndjerë shqetësime në gjurin e operuar më parë. Tani, kthimi i tyre duket se është afër dhe nëse nuk ka ndonjë surprizë të minutës së fundit, pritet që të jenë pjesë e grupit që do të sfidojë Interin.
Mbetet në dyshim për ndeshjen e të dielës, Weston McKennie, me amerikanin që e mbylli ndeshjen ndaj Empolit me një problem në kavilje dhe do të ekzaminohet në këto orë në J Medical.
Me Moise Kean tek Atletico Madrid dhe Arek Milik të skualifikuar, rikthimi i Chiesa-s do të bëhet thelbësor përsa i përket rotacioneve sulmuese, ku për momentin të vetmit në dispozicion janë Vlahovic dhe i riu Yildiz.