Burri i Fitore Pacollit avancohet në pozitë në KEK

Burri i Fitore Pacollit avancohet në pozitë në KEK

Pushteti i LVV-së është përkujdesur ta “veshë” me pushtet në KEK, edhe burrin e deputetes së vet, Fitore Pacolli.

Ilir Dalipi, burri i deputetes Fitore Pacolli, është avancuar në pozitë në KEK – Korporatën Energjetike të Kosovës që e kontrollon Qeveria përmes bordit të saj dhe krye-shefit ekzekutiv që dikur LVV-ja e kandidonte për asamblist në Fushë Kosovë.

Dalipi, që prej vitesh punon në KEK, para se të avancohej në pozitë kishe shfrytëzuar të drejtën e pushimit 1 vjeçar nga puna, mëson gazeta online Reporteri.net.

E kur vendosi të rikthehet në punë, ai u rikthye si menaxher, pasi së fundi u emërua në këtë pozitë në Divizionin e Shërbimeve të Korporatës në KEK, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

Gazeta ka provuar të marrë konfirmim nga KEK-u për avancimin e Ilir Dalipit, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje. Gjithashtu, mediumi është interesuar edhe në lidhje me periudhën kur Dalipi ka qëndruar në pushim nga puna, me që ligji e parasheh si mundësi vetëm në disa raste të veçanta dhe specifike.

Që nga ardhja në pushtet e LVV-së, KEK kontrollohet nga partia e Kryeministrit Albin Kurti. Në shkurt të këtij viti, pushteti emëroi anëtarin e saj në krye të kësaj korporate. Bekir Gërguri, ish-kandidati për asamble i LVV-së në Fushë Kosovë, u emërua si ushtrues detyre i kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës, pasi ish-kryeshefi Nagip Krasniqi u shkarkua gati një vit pasi ishte arrestuar për korrupsion.

“Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat…“, thoshte Kurti, kur si opozitar kritikonte nepotizmin në institucionet publike.

Share This