Broja rikthehet në stërvitje, Pochettino kërkon sulmues
Në prag të duelit me Luton në qendrën stërvitore të Chelsea-t, Cobham, është rikthyer Armando Broja.
Sulmuesi shqiptar, është stërvitur për herë të parë me grupin e plotë të lojtarëve që pas dëmtimit të rëndë të pësuar në gju dhjetorin e kaluar në miqësoren me Aston Villa-n.
Talenti shqiptar ka kaluar fazën më të vështirë të rikuperimit, por tani i duhet shumë punë në stërvitje për të arritur ritmin e ndeshjeve zyrtare.
Sipas medieve angleze rikthimi i tij në fushë në ndeshjen me Luton është një utopi. Gjithsesi Broja qëndron në Londër me shpresën për të bindur Mauricio Pochettino-n.
Nëse argjentinasi do ta grumbullonte Brojën dhe ta linte në stol në ndeshjen me Luton do të ishte një sinjal i mirë për shqiptarin.
Ky i fundit nuk ka dëgjuar fjalë inkurajuse sa i përket së ardhmes në Londër pasi vetë Pochettino në një konferencë për shtyp ka pranuar se është ende në kërkim të sulmuesi zone dhe se këto kërkime në tregun aktual nuk janë aspak të lehta.
Edhe pse Broja ka vendosur që të mos pranojë të largohet drejt West Ham-it pasi shpreson që të tregojë vlerat në “Stamford Bridge”, gjasat janë të vogla që ai të jetë një lojtar fiks i formacionit të “Bluve”.