“Broja, potencial evropian”, Pochettino, vlerësim dhe këshilla për “yllin” shqiptar

“Broja, potencial evropian”, Pochettino, vlerësim dhe këshilla për “yllin” shqiptar

Një profesionist duhet të thotë gjithmonë të vërtetën. Ky është detyrim për një trajner futbolli, edhe pse ai duhet ta përkrahë lojtarin e tij.

Kështu bën edhe Mauricio Pochettino me Armando Brojën, me anë të një analize teknike dhe psikologjike pasi sulmuesi shqiptar shënoi në ndeshjen e parë të vitit për “Blutë” e Chelsea.

“Ylli” 22-vjeçar realizoi një rrjetë tepër të rëndësishme për ekipin në FA Cup, duke e ndihmuar në kualifimin ndaj Preston, por gjithashtu edhe për vetveten. Ishte rrjeta e dytë në një sezon tepër të vështirë për shkak të dëmtimit e konkurrencës, ndërsa fati I tij mbetet I paqartë, mes fanelës blu dhe transferimit diku tjetër, megjithatë tekniku Maurizio Pochettino pati disa këshilla për sulmuesin kuqezi.

“Goli ishte i rëndësishëm për të. Gjithsesi, dua të jem i ndershëm. Ai duhet ta shfrytëzojë këtë hap, këtë gol që shënoi, për t’u përmirësuar. Ai duhet të përmirësohet jo vetëm në aspektin e formës, apo të shënimit të golave, por duhet të përmirësojë edhe atë që quhet “gjuha e trupit”. Ai duhet të hedhë hapa të tjerë, duhet të buzëqeshë më shumë, të jetë më shumë pozitiv. Potenciali i  tij është i mahnitshëm. Ne po flasim për një nga sulmuesit e rinj me potencialin më të madh në Angli dhe në Evropë. Ai duhet të bëjë një sforco. Ne do ta ndihmojmë që ta kuptojë që të mos kënaqet asnjëherë”, tha argjentinasi.

Megjithatë, Pochettino, edhe e mirëkupton Brojën dhe e nxit për të shkuar në nivel më të lartë.

“Gjithsesi, duhet të them se ai po vuan dëmtimin e madh që pati në të kaluarën. Ishte gati një vit jashtë fushe, dhe është e qartë që ai ka nevojë për kohë. Nuk është e lehtë për të që të jetë në atë nivel që ne kërkojmë. Pritshmëria jonë ndaj tij është shumë e madhe dhe ne do ta nxisim që të ngjitet më lart”,- u shpreh tekniku i “Londinezëve”

Nuk është e qartë nëse goli dhe paraqitja në Kupë do ta ndihmojnë Brojën që të mbetet pjesë e Chelsea. Pavarësisht nga vlerësimi i trajnerit se ai është një nga sulmuesit me potencialin më të madh në Evropë, tregu i futbollit është gjithmonë i paparashikueshëm.

Share This