Britania e Madhe: Autorët e sulmit në Banjskë të sillen para drejtësisë
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në njëvjetorin e rënies në krye të detyrës së rreshterit Afrim Bunjaku, ka bërë homazhe para varrit të tij. Ai, sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar nga një grup terroristësh serbë në Bajnskë, e vlerëson si ngjarje tronditëse.
Hargreaves, në një postim në ‘Facebook’, ka thënë se i bën homazhe profesionalizmit dhe trimërisë së Policisë së Kosovës për aksionin e tyre për rikthimin e rendit më 24 shtator 2023, si dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre paciente në zhvillimin e aktakuzës.
“Britania e Madhe vazhdon të kërkojë që autorët e këtij sulmi, përfshirë Milan Radoiçiqin, të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Serbisë që të marrë masat e nevojshme për të siguruar që kjo të ndodhë sa më parë”, ka shkruar ambasadori Hargreaves, raporton rtk.