Brazili në ankth, Neymar do të mungojë në Kupën e Amerikës
Neymar do të mungojë në Kupën e Amerikës 2024, që do të zhvillohet në qershor dhe korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi në tetor. Ka qenë mjeku i kombëtares braziliane ai që ka dhënë lajmin.
Ylli i “Seleçaos” u lëndua gjatë humbjes 2-0 kundër Uruguait, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Sulmuesi u largua nga fusha e blertë me barrelë dhe u operua në nëntor, pasi kishte këputur ligamentet e gjurit të majtë.
Duhen të paktën 9 muaj, që lojtari të rehabilitohet dhe të kthehet të luajë pas një dëmtimi të tillë, një nga më të rëndët për një futbollist, ka shpjeguar mjeku i Brazilit, Rodrigo Lasmar, që ka theksuar se Neymar nuk mund të marrë pjesë në turneun që do të zhvillohet nga 20 qershori deri në 14 korrik.
“Nuk ka kohë mjaftueshëm, është shumë shpejt. Nuk ka kuptim që të nxitojmë për ta rikthyer në fushë dhe të rrezikojmë. Duhet të jemi të duruar. Vetëm pas 9 muajsh mund të flasim për një rikthim. Shpresojmë që pas kësaj periudhe të rikuperohet plotësisht dhe të kthehet të luajë në nivele të larta”, ka thënë Lasmar.