Brazili mbetet pa trajner, shkarkohet edhe Fernando Diniz

Brazili mbetet pa trajner, shkarkohet edhe Fernando Diniz

Federata braziliane e futbollit nuk po kalon ditë të qeta.

Sikur të mos mjaftonin rezultatet e dobëta sportive që skuadra ka arritur në fushë, Brazili nuk po kalon ditët e tij më të mira edhe në nivel institucional, sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me presidentin e federatës.

Ednaldo Rodrigues, që ishte shkarkuar nga funksionet e tij për shkak të parregullsive në zgjedhje, u rikthye në detyrë të enjten e kaluar, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që pezulloi vendimin fillestar (kujtojmë që pas shkarkimit të Rodrigues, FIFA kërcënoi Brazilin me përjashtim nga të gjitha garat).

Sipas “Globo Esporte”, masa e parë që ka marrë presidenti sapo është rikthyer në detyrë ka qenë informimi i trajnerit aktual të përkohshëm Fernando Diniz, që nuk do të drejtojë “seleçaon” në Kupën e Amerikës 2024.

Kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Brazilit ishte Carlo Ancelotti, por italiani rinovoi kontratën e tij me Realin e Madridit.

Sipas mediave braziliane, aktualisht në “pole position” për të marrë drejtimin e kombëtares është trajneri i San Paolos, Dorival Junior. Pritet që tekniku i ri të debutojë në muajin mars në miqësoret kundër Anglisë dhe Spanjës.

Fernando Diniz drejtoi Brazilin (si trajner i përkohshëm) në 6 ndeshje, duke koleksionuar 2 fitore, 3 humbje dhe 1 barazim.

Trajneri largohet nga posti i tij, duke lënë Brazilin në vendin e 6-të në renditjen e kualifikueseve për Kupën e Botës, pas skuadrave si Ekuadori apo Venezuela.

Share This