Botimet shqiptare në Panairin e Librit të Lajpcigut 2025

Botimet shqiptare në Panairin e Librit të Lajpcigut 2025

Panairi i Librit në Lajpcig është një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së librit dhe medias, i cili lidh lexuesit me autorë, botues dhe kompani mediatike nga e gjithë bota.

Edhe Shqipëria është e përfaqësuar në këtë panair nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, e cila do të organizojë panele me shkrimtarë e botues, gjatë ditëve të panairit, prej sot e deri më 30 mars.

Të gjithë ata që vizitojnë Lajpcigun do të mund të përjetojnë një shumëllojshmëri të letërsisë, për të zbuluar risi dhe për të fituar perspektiva të reja.

Tema e panairit të këtij viti është “Fjalët lëvizin botët”. Shqipëria ka stendën e saj në këtë panair, falë bashkëpunimit me rrjetin “Traduki” dhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Këtë vit në panair një panel diskutimi do t’i kushtohet edhe shkrimtarit Ismail Kadare.

Në aktivitetin e sot “Fjalë, fjalë, fjalë”, do të jenë në panel Flogerta Krypi, Mimoza Ahmeti, Elvin Nuri, Klajd Thaçi, Blerina Gaxha Rrugova dhe përkthyesja Loreta Schillock.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të prezantojë në Lajpcig letërsinë e autorëve shqiptarë, nga letërsia e traditës dhe ajo bashkëkohore, duke promovuar kulturën shqiptare dhe krijimtarinë letrare shqiptare në një skenë ndërkombëtare. Ndërsa të premten paradite do të jetë aktiviteti me temë “Letërsia dhe gjeopolitika” mbi përkthimin në gjermanisht të romanit “Kur sunduesit grinden” nga Ismail Kadare, i përkthyer së fundmi në gjermanisht. /atsh/

Share This