Bota e futbollit në zi, ndahet nga jeta Salvatore Schillaci
Lajmi nga i cili kishte frikë e gjithë bota e futbollit, fatkeqësisht ka ardhur. Salvatore Schillaci, i njohur nga të gjithë si Totò, vdiq mëngjesin e sotëm.
Ish-futbollisti ka ndërruar jetë në spitalin e Palermos ku ishte shtruar. Gjendja e 59-vjeçarit, simbol i ‘netëve magjike’ të Botërorit të Italisë 1990, ishte rënduar gjatë orëve të fundit dhe mbrëmjen e djeshme flitej për një “përkeqësim të ndjeshëm”.
Schillaci ishte shtruar në departamentin e pneumologjisë të spitalit Civic në kryeqytetin sicilian që nga 7 shtatori i kaluar. Ish-sulmuesi italian prej disa kohësh po luftonte me kancerin.
Salvatore Schillaci në vitin 1982 u transferua te Messina. Prej këtu filloi ngjitja e tij në futbollin e madh. Një përshkallëzim që e çoi te Juventusi në 1989, në ekipin kombëtar në 1990 dhe më pas tek Inter në 1992 dhe në fund në 1994 te Júbilo Iwata në Japoni. Në Itali, Toto bëri gjithsej 120 paraqitje dhe 37 gola në Serinë A dhe 105 paraqitje dhe 39 gola në Serinë B, por janë golat e tij dhe pamja e tij me fanellën blu në botërorin Italia ’90 që e bënë atë të famshëm dhe të paharrueshëm.