Bosnjë e Hercegovinë, 14 të vdekur pas përmbytjeve nga reshjet e shiut
Deri tani kemi 14 viktima të konfirmuara, pra janë gjetur 14 trupa, fatkeqësisht me tendencë që ky numër tashmë tragjik të rritet, deklaroi sot Darko Juka, shef i Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në Këshillin e Lartë të Shtetit.
Qeveria boshnjake njoftoi ndërkohë se janë raportuar edhe shumë persona të zhdukur.
Bosnje-Hercegovina është përfshirë nga përmbytje të mëdha si pasojë e reshjeve, duke shkaktuar bllokim të rrugëve dhe ndërprerje të komunikimit.
Përmbytjet e mëdha kanë prekur zonat e qyteteve si Jabllanicë, Kiseljak, Konjic, Fojnica dhe Kreshevë.
Autoritetet njoftojnë se fatkeqësia ka ndikuar edhe në rrjetin e komunikimit celular, duke shkaktuar ndërprerje.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje nga rrëshqitje dheu, përmes së cilave qytetarëve u është bërë thirrje që t’i shmangin disa rrugë.
Rrëshqitje të dheut dhe gurëve janë raportuar në rrugën kryesore Konjic – Jabllanicë – Mostar si dhe në rrugën Jabllanicë – Prozor dhe Jabllanicë – Blidinje.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Kreshevës, Renato Pejhak, situatën e ka cilësuar si “apokaliptike”.
Rajoni malor rreth 30 kilometra në veri të qytetit të Mostarit, në jug të vendit, është më i prekuri.
Mediat lokale raportuan se reshjet e dendura të shiut bënë që disa lumenj në rajon të dalin nga shtrati.
Aty thuhet se në qytetin e Jabllanicës ka pasur një rrëshqitje balte që ka prekur shumë shtëpi dhe se vetëm minarja e xhamisë së qytetit është ende e dukshme.
“Nuk mbaj mend një krizë të tillë që nga lufta. Shtrirja e kësaj situate kaotike është tronditëse”, tha zëdhënësi i qeverisë së kantonit, duke iu referuar luftës në Bosnje gjatë viteve 1992-95.
Ai tha se situata mbetet e rëndë, me mot të keq për fundjavë. /ATSH/