
Bordi i AKP-së miraton investimet rreth 1 milionëshe në Brezovicë
Gati 1 milion euro do të jenë investimet që do të bëhen në Ndërmarrjen Shoqërore “Sharr Planina” në Brezovicë, pasi bordi i AKP-së i dha dritë jeshile kërkesës së menaxhmentit të kësaj agjencie për investime në këtë ndërmarrje që është nën administrim direkt të AKP-së.
“Bordi shqyrtoi dhe miratoi propozimin e Menaxhmentit lidhur me aprovimin e investimeve në shumë prej 998,000.00 €, në NSh Sharr Planina Brezovicë. Investimet përfshijnë: modernizimin dhe sanimin e teleferikëve dhe pajisjeve të skijimit, renovimin e Hotelit “Molika” dhe ambienteve akomoduese, implementimin e sistemeve moderne të pagesave dhe menaxhimit elektronik dhe zgjerimin e ofertës për turizmin veror”, ka bërë të ditur AKP-ja rreth vendimit për këtë çështje.
Ky vendim u mor në mbledhjen që bordi i Agjencisë së Privatizimit mbajti e ku thuhet se janë diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për vazhdimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale.
“Në këtë mbledhje, Bordi aprovoi ndryshimet e Rregullores 03/2025 për qiradhënien e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, me qëllim rritjen e efektivitetit në zbatim, forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe sigurimin e një menaxhimi më të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të të hyrave nga qiraja dhe të aseteve publike”, thuhet tutje në njoftim, raporton rtk.
Kanë treguar edhe për vendimet tjera që morën në këtë mbledhje.
“Bordi i AKP-së miratoi kërkesën e Komunës së Podujevës lidhur me largimin Njësisë nr. 45-KB Flora Tokë Bujqësore Pakashticë e Poshtme II dhe Njësisë 46 KB Flora Tokë Bujqësore Pakashticë e Poshtme III– nga ShAL 72 (Shitja e Aseteve përmes Likuidimit nr. 72), e cila mbahet me datë 28 maj 2025, sepse Komuna do të inicioj procedurat e shpronësimit për të kthyer në pronësi Komunale, e që konsiderohet me rëndësi dhe interes të përgjithshëm për Komunën. Në të njëjtën kohë, Bordi aprovoi valën e re SHAL 73 me 101 asete e cila do të publikohet së shpejti”, ka bërë të ditur AKP-ja.
Gjithashtu ky bord i ka aprovuar kërkesën KRU “Hidromorava” për dhënien e pëlqimit për qëllime të lëshimit të lejes ndërtimore në kuadër të projektit “Floës” – rezervuari i ujit.
Njëjtë e kanë miratuar edhe kërkesën për qiradhënie direkte për kompaninë Kosmonte Foods Sh.p.k., bazuar nbë vendimin e qeverisë, të validuar edhe Kuvendi i Kosovës më shumë se 3 vjet më parë.