
Bombardimet ruse në Ukrainë, Macron i drejtohet Putinit: Mos gënje kur pretendon se dëshiron paqe!
“Askush nuk mund të presë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të pranojë kushtet e armëpushimit ndërsa Kievi, kryeqyteti i vendit, po bombardohet,” tha presidenti francez Emmanuel Macron të enjten.
Rusia goditi Kievin me raketa dhe dronë gjatë natës, duke vrarë të paktën 9 persona, duke plagosur më shumë se 70 dhe duke dëmtuar ndërtesa në sulmin më të madh në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i vitit.
Duke folur nga kryeqyteti i Madagaskarit, Antananarivo, ku ndodhet në një vizitë shtetërore, Macron tha se shpresonte se “Presidenti Vladimir Putin më në fund do të ndalojë së gënjyeri kur ai pretendon se dëshiron “paqe” ndërsa vazhdon të bombardojë Ukrainën.
“Për Ukrainën, ne presim vetëm një përgjigje: a pajtohet Presidenti Putin për një armëpushim pa kushte? Zemërimi i amerikanëve duhet t’i drejtohet vetëm një personi: Presidentit Putin”, tha Macron.
Duke iu referuar një propozimi të SHBA-së për një zgjidhje paqësore të konfliktit ukrainas, Macron tha se statusi i gadishullit të Krimesë, i aneksuar nga Rusia në 2014, “nuk është një çështje e tanishme”. /rtsh/