
Bomba me tym dhe kaos në Kuvendin e Serbisë
Një incident ndodhi të martën në Kuvendin e Serbisë, ku deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset dhe aktivizuan mjete piroteknike në sallë.
Deri te kjo erdhi pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.
Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetarit, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.
Radio Evropa e Lirë, raporton se tymi nga mjetet piroteknike, mund të nuhatej edhe në korridoret e kuvendit.
Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshiheshin edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Në seancë duhej të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, të cilën ai e ofroi më 28 janar, nën presionin e protestave të studentëve.
Opozita kërkoi që në rend dite të ishin vetëm ndryshimet në Ligjin e Arsimit të Lartë, duke thënë se Qeveria që ka shpallur dorëheqjen, nuk mund të miratojë ligje të rëndësishme.
“Ne konsiderojmë se Qeveria ka rënë. Ju nuk keni të drejtë të propozoni ligje, derisa jeni në dorëheqje. Ju duhet ta arrestoni veten dhe të mos bëni cirk”, tha deputetja e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq.
Disa deputetë të opozitës në sallë mbajtën edhe fotografi me duar të përgjakura dhe pankarta ku shkruhej: “Grevë e përgjithshme”, “Studentët kanë të drejtë” dhe “Mësimdhënës, jemi me ju”. /REL