Boban Bozhoviqi mbeti i shtrirë në stadium të Prishtinës, për këtë rast ende përmendet Fadil Muriqi!
Para 39 viteve ndodhi një rast i rëndë në stadiumin e Prishtinës dhe në minutën e parë të ndeshjes mes Prishtinës dhe ekipit boshnjak Sarajeva, në takimin e javës së 24-të të Ligës së Parë federative të ish Jugosllavisë.
Atmosferë si në stadiumet latino-amerikane, mbi 30 mijë shikues, Prishtina e shkërmoqi me rezultat 4:0 Sarajevën, në ndeshjen që u luajt me 28 mars të vitit 1984.
Në minutën e parë, futbollisti i Sarajevës, Boban Bozhoviqi thyen këmbën në duel me Fadil Muriqin, ndërsa gjyqtar i ndeshjes ishte Xhafer Gjuka.
Çfarë shkruante gazetari i mirënjohur Burim Hatipi?
“Për prishtinas ndeshja e djeshme ishte festë e vërtetë, të cilën e prishi ajo që ndodhi mu në fillim të saj. Në minutën e parë, në një duel për top, aty diku nga mesi i fushës, u përplasën Fadil Muriqi dhe Boban Bozhoviqi. Gjysmësulmuesi i Sarajevës mbeti i shtrirë.
Mjekët kujdestarë konstatuan se lëndimi ishte i rëndë dhe Bozhoviqin e dërguan në spital, ku u vërtetuan parashikimet se futbollisti i Sarajevës theu këmbën e majtë.
Mirëpo, për fat kjo frakturë nuk është aq e rëndë, eshtrat e thyera nuk kanë ndërruar pozitën, kështu që intervenimi i vetëm, që qe i nevojshëm, ishte t’i vihet gjipsi.
Kjo nuk ndodhi me qëllim, por në luftë për top”, ka shkruar me 29 mars të vitit 1984 gazetari i sportit të “Rilindjes”, Burim Hatipi.
Pas javës së 24-të, Prishtina renditej në vendin e 10-të me 24 pikë e me dy pikë më shumë se Sarajeva që ishte tri pozita më poshtë, ndërsa Hajduku kryesonte me 30 pikë, i ndjekur nga Zhelezniçari me 30, Cërvena Zvezda 28, Rijeka 27, Partizani 27 sosh etj. /BS/