Bislimi: Vuçiqi t’u jep autonomi shqiptarëve në tri komunat e Luginës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për modelet autonome evropiane, duke thënë se ai duhet të ofrojë një model të tillë për shqiptarët në tri komunat në Luginë të Preshevës.
“Vuçiq vlerëson modele të ndryshme të autonomive evropiane. Ai duhet të udhëheqë me shembull duke u ofruar një model të tillë shqiptarëve të tri komunave në jug”, ka shkruar Bislimi në X.
Bislimi ka theksuar se në Serbi ka më shumë shqiptarë sesa ka serbë në Kosovë.
Berliner Zeitung ka shkruar për fjalimin e Vuçiqit javën e kaluar në Cyrih, se si publiku në sallë ka mbetur i shtangur në disa raste, e dy herë i hutuar.
Duke folur për Ballkanin, Vuçiq vlerësoi se “konflikti mund të ishte i qetë nëse rajoni pranohej plotësisht në BE”, shkruan Berliner Zeitung. Kjo gazetë ka shkruar se presidenti i Serbisë përmendi Tirolin e Jugut, Alsasën “si shembuj të suksesshëm nga kohët e fundit”.