Biden: Trump po i ushtron presion Ukrainës për të qetësuar Putin

Biden: Trump po i ushtron presion Ukrainës për të qetësuar Putin

Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është shprehur se administrata Trump po ushtron presion ndaj Ukrainës në mënyrë që ajo t’i lëshojë territore Rusisë, për arritjen e një armëpushimi.

Për Biden, kjo është vetëm një “qetësim i ditëve të sotme”, pasi kjo nuk do i japë fund synimeve të Putinit.

“Është një qetësim i ditëve të sotme. Putin beson se Ukraina është pjesë e Rusisë dhe kushdo që mendon se do të ndalet nëse ndonjë territor jepet si pjesë e një marrëveshjeje paqeje është thjesht budalla. Thjesht nuk e kuptoj se si mendojnë njerëzit që nëse lejojmë një diktator, një bandit, të vendosë se do të marrë pjesë të konsiderueshme toke që nuk janë të tijat, kjo do ta kënaqë atë. Nuk e kuptoj plotësisht”, tha Biden në një intervistë për BBC.

Lidhur me marrëdhëniet SHBA-Europë, Biden u shpreh i shqetësuar se prishja e marrëdhënieve do të “ndryshonte historinë moderne të botës”. Gjithashtu Biden dënoi thirrjet e Trump që SHBA-të të rimarrin Kanalin e Panamasë, të përvetësojnë Groenlandën dhe ta bëjnë Kanadanë shtetin e 51-të.

“Çfarë dreqin po ndodh këtu? Cili president flet ndonjëherë kështu? Ne nuk jemi kështu”, tha ai. “Ne jemi për lirinë, demokracinë, mundësitë, jo për konfiskimin. Europa do të humbasë besimin në sigurinë e Amerikës dhe në udhëheqjen e Amerikës”. Udhëheqësit e kontinentit, po pyesnin veten, çfarë të bëj tani?… A mund të mbështetem te Shtetet e Bashkuara? A do të jenë atje?”, tha Biden.

Ai tha gjithashtu se kishte frikë se disa vende në aleancën e NATO-s që kufizohen me Rusinë mund të “thjesht thonë se duhet të bëjmë një marrëveshje” me Putinin nëse Ukraina përfundimisht heq dorë nga toka. /rtsh/

Share This