Biden takohet me ekipin e sigurisë kombëtare, ndërsa frika nga sulmi i Iranit ndaj Izraelit rritet
Presidenti i SHBA Joe Biden u takua me ekipin e tij të lartë të sigurisë kombëtare, ndërsa shqetësimet për një sulm të mundshëm hakmarrës iranian ndaj Izraelit u rritën, sipas BBC.
Biden tha se ai ishte informuar për përgatitjet për të mbështetur Izraelin nëse ai sulmohej, ndërsa sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se zyrtarët po punonin për të parandaluar një përshkallëzim.
Tensionet janë rritur gjatë javës së fundit pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, për të cilin Irani ka fajësuar Izraelin dhe është zotuar për një hakmarrje “të ashpër”. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për atentatin.
Shumë vende, duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, u kanë thënë gjithashtu qytetarëve të tyre që të largohen nga Libani, nga ku dyshohet se Hezbollahu, një milici dhe lëvizje politike e mbështetur nga Irani, mund të luajë një rol në çdo përgjigje.
Gjatë konferencës, Bidenit iu tha se koha dhe natyra e një sulmi iranian mbetën të paqarta, sipas faqes amerikane të lajmeve ‘’Axios’’.
Një ditë më parë, Blinken thuhet se u tha homologëve të tij të G7 se Irani dhe Hezbollahu mund të sulmojnë Izraelin brenda 24 deri në 48 orëve.
Në një deklaratë të lëshuar pas konferencës, Biden tha se “ne morëm përditësime mbi kërcënimet e paraqitura nga Irani dhe përfaqësuesit e tij, përpjekjet diplomatike për të de-përshkallëzuar tensionet rajonale dhe përgatitjet për të mbështetur Izraelin nëse ai sulmohet përsëri”. /atsh