Biden pret kryeministrin Netanyahu

Biden pret kryeministrin Netanyahu

Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi mes dy liderëve vjen pasi Netanyahu mbajti një fjalim luftarak në një sesion të përbashkët të Kongresit, në të cilin ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit të qëndrojnë krah për krah për t’u përballur me “armikun vrasës”, Iranin.

Tensionet mes dy liderëve kanë qenë të larta, veçanërisht për shkak të veprimeve të qeverisë izraelite në luftën e Gazës.

Administrata Biden e ka akuzuar Netanyahun se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur civilët në Gaza nga sulmet ajrore dhe tokësore.

Uashingtoni ka kritikuar gjithashtu Izraelin për mos lejimin e më shumë ndihmave humanitare në territorin palestinez, ku sistemi shëndetësor është shkatërruar, rreziku i urisë vazhdon dhe shërbimet bazë janë paralizuar.

Një takim mes Netanyahut dhe kandidates së re demokrate për president Kamala Harris është planifikuar gjithashtu për sot.

Ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan për president Donald Trump do të takohet me Netanyahun në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida ditën e premte.

Është vizita e parë e Netanyahut në Uashington në gati katër vjet dhe udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga sulmi i grupit ekstremist palestinez Hamas në jug të Izraelit më 7 tetor, i cili shkaktoi një përgjigje shkatërruese hakmarrëse në Rripin e Gazës. /atsh/

Share This