“Beteja” e fundit Klopp- Guardiola, në “Anfield” luhet për kreun
Çfarëdo që të ndodhë në sfidën mes Liverpool-Manchester City që do të luhet pasditen e sotme (16.45), takimi do të hyjë në historinë e futbollit anglez, sepse do të jetë ndeshja e fundit në Premier League mes Jurgen Klopp dhe Pep Guardiola, dy trajnerëve që kanë bërë historinë e futbollit vitet e fundit.
Trajneri gjerman njoftoi lamtumirën e tij nga “të kuqtë” në javët e fundit, por skuadra nuk u prek dhe u përgjigj në mënyrë të shkëlqyer. Në lojë, (pa harruar Arsenali), është një pjesë e mirë e kampionatit dhe kushdo që fiton do të ngjitet në krye të tabelës.
Rivaliteti i gjatë mes Klopp dhe Guardiolës nisi 11 vite më parë në Gjermani dhe sot do të jetë përballja e 30-të. 12-11 bilanci në favor të gjermanit. Nuk ka dyshim që të dy kanë përfituar nga kjo për t’u përmirësuar dhe përparuar çdo sezon. Guardiola ka fituar më shumë trofe, por vetëm një herë ka fituar në “Anfield”, në periudhën e Covid-it pa tifozë në tribuna.
Pep e ka ekipin pothuajse të kompletuar me Haaland dhe De Bruyne tani afër formës së tyre më të mirë dhe një Foden vërtet në superformë. Përkundrazi, lista e lojtarëve të dëmtuar te Liverpool është shumë e gjatë, aq sa Klopp i është dashur të grumbullojë lojtarë nga akademia.
Lajmi i mirë është rikuperimi i Salah. Egjiptiani di si ta ndëshkojë Cityn. Është e pamundur të dihet se si do të përfundojë, por mund të jeni të sigurt për një gjë, do të jetë një shfaqje e mrekullueshme.