Besiktasi i vendosur për transferimin e Rey Manajt
Rey Manaj mund t’i bashkohet Milot Rashicës e Ernest Muçit te Besiktasi sezonin e ardhshëm.
Gjiganti turk ka shprehur interesim serioz për sulmuesin shqiptar, i cili la gjurmë të mëdha këtë sezon me Sivassporin.
27-vjeçari është golashënuesi i tretë më i mirë në Superligën e Turqisë me 18 gola. Ai ka edhe dy asistime në kampionat.
Lushnjari ka edhe dy gola e dy asistime në Kupën e Turqisë gjithashtu.
Sipas mediumit turk “Aksam”, Besiktasi po mbaron punë tashmë rreth transferimit të tij, pasi ka parasysh interesimin edhe të klubeve të tjera.
“Bardhezinjtë” thuhet se kanë në plan t’i japin lamtumiren Cenk Tosunit, derisa edhe e ardhmja e Vincent Aboubakar është e pasigurt.
Kësisoj, gjiganti turk ka vendosur Manajn në krye të listës për afatin e verës, kur edhe synojnë ta kompletojnë transferimin e tij, raporton Express.
Reprezentuesi i Shqipërisë me Sivassporin ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.