Berishës nuk i hiqet mandati i deputetit
Kreut të rithemelimit të PD Sali Berisha nuk do ti hiqet mandati i deputetit.
Kjo u bë e ditur nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve të mërkurën.
“Dua t’i japim fund spekulimeve. Qenia e një personi nën këtë masë nuk mund të konsiderohet si mungesë pa arsye në Kuvend. Jemi konsultuar me njohës të ligjit dhe Kushtetutës”, ka thënë Lindita Nikolla .
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, akuzohet që nga tetori i kaluar për korrupsion pasiv dhe fillimisht i është ndaluar të udhëtojë jashtë vendit pas një vendimi të Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK).
Por që prej 30 dhjetorit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të zëvendësojë masën e sigurimit për Berishën, nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore. Ai gjendet nën hetim për çështjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.
Për të njëjtën çështje është arrestuar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv në bashkëpunim” si dhe “pastrim parash”.
Zoti Berisha i ka cilësuar akuzat ndaj tij si “të pabaza dhe të motivuara politikisht”.