Berisha: Misioni ynë shpëton Shqipërinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, misioni i PD shpëton Shqipërinë.
Në fjalën e tij online në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha tha se, “mbledhja e sotme e këtij forumi ka një rëndësi të veçantë, që nuk e ka pasur asnjë mbledhje tjetër qysh nga rithemelimi i PD, sepse nëse në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, ne ende nuk kishim realizuar plotësisht asnjërin nga tre objektivat tonë madhorë, sot ne mblidhemi pasi dy nga tre objektivat tonë më madhorë, për arritjen e misionit tonë, ne i kemi përmbushur”.
“Realizimi i këtyre dy objektivave bën që sot Shqipëria të jetë në një realitet të ri, që deri para pak kohësh do të ngjante i pamundur”, tha Berisha.
“Në mars të vitit 1992, kur PD erdhi në pushtet herën e parë, në fjalimin e fitores ju drejtova shqiptarëve me këto fjalë: Gëzuar ditën e parë të demokracisë. Ato fjalë sintezojnë më së miri misionin e atëhershëm të kësaj partie, sepse me atë akt PD ndante epokat për Shqipërinë. Ato fjalë ndanë diktaturën ideologjike nga demokracia”, tha Berisha.
“Në mënyrë të ngjashme, kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, dhe ua theksoj këtë: fitorja vitin e ardhshëm është në duart tona. Pra kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, fjalimi i fitores do të hapet me fjalët: Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë”, theksoi Berisha.
“Kjo miqtë e mi është rëndësia e misionit tonë. Misioni ynë ndan përfundimisht narkoshtetin nga demokracia. Misioni ynë çliron përfundimisht Shqipërinë nga pushtimi më i egër i brendshëm që i është bërë këtij vendi. Misioni ynë shpëton Shqipërinë”, tha më tej Berisha. /atsh/