Berisha gabon, Ramadani “zverdhet”
Një derbi mes lojtarëve kuqezi mund të konsiderohet sfida mes Empolit dhe Leçes, që u mbyll në barazim 1-1.
Në takimin e vlefshëm për Javën e 15-të të Serisë A, zbritën në fushën e lojës që nga minuta e parë Etrit Berisha e Ardian Ismajlaj për Empolin si dhe Ramadani për Leçen.
Në Castellani, skuadra mike kaloi në epërsi me golin e Bandës në minutën e 64-të favorizuar nga një gabim i portierit kuqezi, Berishës, por toskanët barazuan në minutën e 71-të me autogolin e Rafias nga krosimi i Cambiaghi. Ndërsa Berisha e Ismajli luajtën për 90 minuta, Ramadani u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 75-të e më pas u zëvendësua në minutën e 86-të nga Kaba.
Për Empolin, në minutën e 41-të u aktivizua dhe Stiven Shpendi, një tjetër kuqezi, pjesë e Kombëtares U21. Ndërkohë, Medon Berisha e Kastriot Dermaku, pjesë e skuadrës së Leçes, nuk u aktivizuan.
Barazimi mund të thuhet se i vlen më shumë skuadrës së Leçes që ngjitet në kuotën e 17 pikëve, vendi i 13-të në klasifikim, ndërsa Empoli mbetet në vendin e 17-të, shumë pranë zonës së rrezikut, me 12 pikë.