Berisha e Dellova shpresojnë në rezultat pozitiv ndaj Norvegjisë
Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot stërvitjen e dytë në kuadër të grumbullimit të qershorit në Kampin Nacional në Hajvali.
Përzgjedhësi Franco Foda vazhdoi fokusin e tij në pjesën taktike, duke u përpjekur ta përfshijë filozofinë e tij të lojës tek ekipi.
Trajneri Franco Foda po bën përpjekje të mëdha për të krijuar një ekip të disiplinuar dhe taktikisht të fortë. Objektivi kryesor është të ndërtohet një lojë kompakte dhe ekipore që do të sjellë rezultate pozitive, duke filluar me miqësoren kundër Norvegjisë.
Edhe në seancën e sotme përkushtimi i futbollistëve ishte maksimal, derisa u stërvit në aspekte të ndryshme, ku përzgjedhësi Foda po bën përpjekje të mëdha për të ndërtuar lojë kompakte, ekip të disiplinuar dhe taktikisht të fortë.
Bernard Berisha, i rikthyer në kombëtare shprehu kënaqësinë dhe nderin që ndjen duke qenë pjesë e Kombëtares së Kosovës.
“Trajneri i ri ka sjellë motiv të ri. I shoh të gjithë të angazhuar, duhet të vazhdojmë të jemi kompakt dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Ka shumë ndryshime, shumë pozitivitet. Shpresoj që në ndeshjen me Norvegjinë të tregojmë një ndeshje të mirë dhe të dëshmojmë që kemi potencial dhe që synojmë kualifikimin”, tha Berisha.
Ndërkaq, Lumbardh Dellova, theksoi se pas suksesit me Ballkanin me kurorën e dyfishtë, është i motivuar për të dhënë më të mirën për Kombëtaren.
“Stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë, atmosfera është shumë e mirë dhe pse jo të arrijmë një rezultat të mirë. Duhet të japim më të mirën që të ndalojmë pikat më të forta që i ka Norvegjia, siç është Haaland, dhe të dalim me rezultat pozitiv”, tha ai.
Stërvitja e radhës e Dardanëve do të zhvillohet të shtunën në orën 11:00.