
Behrami: Seanca e sotme, manifestim i arrogancës
Artan Behrami, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, foli për bllokadën që po ndodhë tash e disa javë në konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai tha se edh në seancën e sotme, e nënta me radhë, është manifestuar arroganca e një partie, e cila ka dalë e para në zgjedhjet e fundit parlamentare, LVV.
“Atë që kemi parë tash e nëntë seanca, është një manifestim i arrogancës së një partie politike, e cila shihet që nuk i ka numrat për të vendosur në Parlamentin e Republikës së Kosovës”, tha Behrami në magazinën “InfoPlus”, në RTK.
Behrami tha se tashmë po shihet se partia që ka dalë e para në zgjedhje, nuk i ka numrat për të vendosur institucionet në Parlamentin e Kosovës dhe që me çdo kusht po mundohet ta vendosë një emër që është personifikim i përçarjeve politike në vend.
“Me çdo kusht e me çdo çmim po mundohet ta vendosë një emër që është personifikim i përçarjeve politike në Republikën e Kosovës, që është personifikim i dhunës ndaj Kuvendit dhe ndaj demokracisë dhe si e tillë për PDK-në, por edhe për partitë tjera opozitare është emër i papranueshëm”, deklaroi Behrami në magazinën “InfoPlus”, në RTK.
Ai shtoi se opozita në këto seanca ka qenë fleksibile, një opozitë që ka ndihmuar në shtetndërtimin e Kosovës, që, sipas tij, këto parti kanë një empati edhe për brengat e qytetarëve duke ofruar zgjidhje për të dalë nga kjo bllokadë, të cilën, sikundër u shpreh ai, Kurti ka hyrë qëllimshëm, duke refuzuar ndërrimin e kandidates për të parin e Kuvendit, dhe duka pamundësuar kështu konstituimin e Kuvendit të Kosovës.