Begaj pret në takim presidentin e Izraelit: Mundësi të reja të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve
Presidenti, Bajram Begaj, priti këtë të enjte (12 shtator) në një takim Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog.
Presidenti i Republikës i uroi homologut Herzog mirëseardhjen në vizitën e parë të një Presidenti të Shtetit të Izraelit në Shqipëri ndërsa bashkëpunimi dypalësh, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova, situata në Lindjen e Mesme dhe çështjet e sigurisë kibernetike ishin në fokus të bisedës kokë më kokë.
Begaj, e konsideroi këtë vizitë si një mundësi të shkëlqyer për gjetjen e mundësive të reja të forcimit të bashkëpunimit, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Shqipërisë në këtë drejtim.
Presidenti Begaj theksoi: “Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike që ndajnë momente historike unike, të cilat na bashkojnë përgjithmonë. Çdo shqiptar është krenar kur kujton mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Begaj.
Sipas Begaj të njëjtat ndjenja ndajnë edhe shqiptarët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë aspekt, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.
Për sa i përket zhvillimeve në Ballkan, Presidenti i Republikës u shpreh se për shkak të pozicionimit gjeopolitik, rajoni është i prekshëm ndaj kërcënimeve, duke përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, migracionin, kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues.
“Shqipëria, i mbetet mirënjohëse Izraelit për kontributin e dhënë për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes kibernetike në rrethana shumë të vështira dhe kritike pas sulmeve kibernetike të Iranit në vitin 2022”, tha Begaj.
Gjatë takimit kokë më kokë, krerët e dy shteteve biseduan për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, për të cilat Begaj rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë: “Shqipëria ka dënuar fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit. Kjo është e paprecedentë dhe nuk mund të justifikohet me asgjë”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar se Shqipëria ka dënuar ashpër rrëmbimin e civilëve, grave, të moshuarve dhe fëmijëve, si dhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të civilëve të pafajshëm.
“Ne mirëpresim lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”, – u shpreh Presidenti Begaj në takimin me Presidentin Herzog, duke përsëritur thirrjen që ndihma humanitare të vazhdojë për të gjithë në nevojë dhe ne dëshirojmë fundin e vuajtjeve të popullatës civile.
Presidenti rikonfirmoi se Shqipëria mbështet plotësisht planin e paraqitur nga Presidenti Biden, i cili do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, në lirimin e të gjithë pengjeve, në rritje të ndihmave humanitare për Gazën, si dhe bisedimet diplomatike, si e vetmja mundësi që çon në zgjidhje të situatës.
Vizita disaorëshe e presidentit të Izraelit në Tiranë po zhvillohet nën masa mjaft të rrepta sigurie. Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera të inteligjencës në vend “blinduan“ perimetrin e godinës së kryeministrisë, presidencës dhe kryesisë së Kuvendit.
Presidenti izraelit ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri. Po ashtu, gjatë qëndrimit një ditor në Tiranë, Herzog ka takuar edhe kryeparlamentaren, Elisa Spiropali si edhe me një përfaqësi të shqiptarëve të cilët kanë ndihmuar hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore. /rtsh/