Bedri Hamza: Kaçaniku ka qenë dhe mbetet bastion i PDK-së, simbol i krenarisë kombëtare
Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, mbajti një tubim madhështor në Kaçanik, ku u prit nga mijëra mbështetës të entuziazmuar.
Në fjalimin e tij, Hamza e cilësoi Kaçanikun si një bastion të pathyeshëm të PDK-së dhe një simbol të krenarisë kombëtare.
Ai theksoi rëndësinë e Kaçanikut jo vetëm si një qytet, por si një simbol të shpirtit të pathyeshëm dhe të energjisë kombëtare.
“Jam tepër i nderuar. E si të mos jemi i nderuar, kur sonte jam në bastionin e Partisë Demokratike të Kosovës në Kaçanik. Kështu ka qenë, kështu është dhe kështu do të mbetet përgjithmonë.
Kaçaniku, një simbol i krenarisë kombëtare dhe i shpirtit të pathyeshëm, na mbledh sot me një qëllim të madh – për të besuar, për të shpresuar dhe për të vepruar në çdo rrugë të këtij qyteti. Në çdo përshëndetje të sinqertë që kam marrë, ndjej energjinë dhe vendosmërinë tuaj. Kjo mbështetje është frymëzimi ynë, është zëri i fuqishëm i popullit dhe kërkon zhvillim më të mirë.” – tha Hamza.
Në adresimin e tij, Hamza bëri thirrje për një angazhim të përbashkët në ndërtimin e një Kosove të re, të fortë dhe dinjitoze.
“Qytetarë të dashur, ky është momenti ynë. Është momenti që të përcaktojmë një vizion të qartë për një Kosovë të re, të fortë dhe dinjitoze. Fushata që kemi nisur, nuk është thjesht një garë politike, është një thirrje për të ndërtuar të ardhmen që e meritojmë.” – shtoi Hamza.