
Beckham kundër shitjes së talenteve të akademisë së Man Unitedit
Fituesi i trefishtë me Manchester United, David Beckham, është shprehur i shqetësuar pas raportimeve se ‘Djajtë e Kuq”, nën drejtimin e Sir Jim Ratcliffe, po planifikojnë të shesin disa nga talentet e akademisë gjatë verës.
Emra si Marcus Rashford, Kobbie Mainoo dhe Alejandro Garnacho janë përmendur si kandidatë për t’u larguar, në mënyrë që të financohen planet e afatit kalimtar të trajnerit të ri, Ruben Amorim.
“Besoj se Ruben duhet të mbështetet në sjelljen e lojtarëve që ai dëshiron, por sinqerisht nuk e di sa është e mundur. Nuk flas shpesh me Jim-in, vetëm herë pas here”, ka thënë Beckham.
“Ruben duhet të mbështetet si trajner për të sjellë ekipin e tij dhe filozofinë e tij. Ai po përpiqet ta bëjë këtë që tani, por mendoj se kur të ketë ekipin dhe lojtarët e vet, do të shohim diçka ndryshe”, theksoi ikona e futbollit anglez.
Beckham ka folur edhe mbi të ardhmen e kapitenit Bruno Fernandes.
“Do të doja të besoja se nuk do të detyrohesh të shesësh kapitenin tënd. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm”, ka përfunduar Beckham.