Bebe Rexha: 24 orët e mia të para në Kosovë kanë qenë një ëndërr
Këngëtarja me famë botërore, por me rrënjë shqiptare, Bebe Rexha, gjatë të martës [dje] ka ardhur në Kosovë.
Artistja, përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, ka rrëfyer për “lumturinë” që ajo po e përjeton duke qëndruar në Kosovë.
“24 orët e mia të para në Kosovë kanë qenë një ëndërr”, ka shkruar Bebe Rexha.
Përndryshe, Bebe Rexha do të jetë njëra nga artistet që do të performojnë në festivalin tashmë vjetor të “Sunnyhill”.
Ndryshe, gjatë të martës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim këngëtaren e njohur me famë botërore Bebe Rexhën.
E para e shtetit Vjosa Osmani ka shkruar në profilin e saj në rrjetin social Facebook, se Kosova është gjithnjë krenare me sukseset e secilit shqiptar anekënd botës.
“Mirë se vjen në Kosovë, Bebe Rexha! Kosova është gjithnjë krenare me sukseset e secilit shqiptar, anekënd botës, të cilët janë kthyer në frymëzim për gjeneratat e reja”, është shprehur Osmani.
Më tutje, ajo vazhdoi “Suksesi i Bebes është shembull i jashtëzakonshëm se çka mund të arrihet me punë e përkushtim! Në datat 25-28 korrik, Prishtina do të jetë nikoqire e yjeve më të suksesshme botërore në Sunny Hill Festival, përfshirë edhe @beberexha, e cila vjen për herë të parë në Kosovë”.