
BE zotohet të mbrojë interesat e saj pasi Trump bëri thirrje për tarifa prej 50%
Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic ka bërë thirrje për marrëdhënie tregtare të bazuara në “respekt të ndërsjellë” – pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ka rekomanduar një tarifë prej 50% për mallrat nga Bashkimi Evropian për shkak të bisedimeve të bllokuara tregtare.
Pas bisedimeve me përfaqësuesin e Departamentit Amerikan të Tregtisë, Jamieson Greer, dhe sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick – komisioneri Sefcovic shkroi në platformën X se BE ishte plotësisht e angazhuar, e përkushtuar për të siguruar një marrëveshje që funksiononte për të dyja palët.
“Tregtia BE-SHBA është e pakrahasueshme dhe duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë, jo nga kërcënimet”, shkroi Sefcovic.
“Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona”, shtoi ai.
Trump tha dje se bisedimet tregtare me Brukselin “nuk po shkonin gjëkundi” dhe se për këtë arsye ai kishte rekomanduar një tarifë të drejtpërdrejtë prej 50% për të gjitha importet e BE-së duke filluar nga 1 qershori.
“Nuk po kërkoj një marrëveshje”, tha Trump më vonë në Uashington.
“Por sërish, nuk ka tarifë nëse ata ndërtojnë fabrikat e tyre këtu”, shtoi presidenti amerikan. /atsh/