BE kritikon vrasjen pa gjyq të liderit të Hamasit
Zëdhënësi i kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kritikoi vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në përputhje me kundërshtimin e BE-së ndaj “vrasjeve jashtëgjyqësore”.
“Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) po kërkonte një urdhërarresti për Haniyeh me akuza të ndryshme për krime lufte”, shtoi zëdhënësi.
Zëdhënësi bëri thirrje gjithashtu për përmbajtje maksimale “sepse asnjë vend dhe asnjë komb nuk mund të përfitojë nga përshkallëzimi i mëtejshëm në Lindjen e Mesme dhe në rajon e më gjerë”.
Irani dhe Hamasi akuzojnë Izraelin për vrasjen e Haniyeh në një sulm ajror teksa ai vizitonte Teheranin.
Izraeli ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht pretendimeve. /atsh/