BE-ja thirrje Kurtit: Shmangi masat përshkallëzuese në veri – po rrezikoni të dëmtoni imazhin ndërkombëtar të Kosovës

BE-ja thirrje Kurtit: Shmangi masat përshkallëzuese në veri – po rrezikoni të dëmtoni imazhin ndërkombëtar të Kosovës

Bashkimi Evropian ka reaguar pas operacioneve të fundit të Policisë së Kosovës, inspektimeve dhe mbylljeve të disa objekteve të shërbimeve publike në veri.

Sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, operacionet e fundit të policisë rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve si dhe ta dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar për operacionet kundër kompanisë “Vodovod Ibar” në Mitrovicën e Veriut, si dhe ndaj impiantit të furnizimit me ujë dhe kompanisë së shërbimeve publike në Zubin Potok, të cilat ofrojnë shërbime themelore për komunitetet që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës”.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve”, thuhet në reagim.

Tutje, BE-ja tha se i bëjnë thirrje kryeministrit të dorëhequr, Albin Kurtit, që t’i ndalojnë këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin masa përshkallëzuese.

“U bëjmë thirrje të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit, si dhe të marrëveshjeve të tjera të arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, pa vonesa apo parakushte të mëtejshme”.

“Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën evropiane të të dyja palëve”, thuhet në reagim.

 

Share This