BE-ja në pritje të vendimit të Kushtetueses për Ligjin për Zyrtarët Publikë

BE-ja në pritje të vendimit të Kushtetueses për Ligjin për Zyrtarët Publikë

Bashkimi Evropian është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili gjatë javës u dërgua për herë të dytë në këtë gjykatë me gjithë ndryshimet e bëra në të.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ky Ligj lejon diskrecion të tepruar në rekrutimin dhe transferimin e shërbyesve civilë, duke e minuar paanshmërinë e tij dhe se presin që Kosova t’i përmbushë zotimet për një kornizë legjislative në përputhje me standardet e BE-së.

Në një përgjigje për RTV21, zyra e BE-së në Kosovë tha se Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë parasysh këshillat e BE-së dhe se ligji nuk i trajton rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023 në mënyrë adekuate dhe rrezikon të shkojë kundër tyre.

“Shqetësimet tona kryesore, që janë ngritur në opinione të ndryshme të BE-së për këtë ligj, kanë të bëjnë me ndryshimet që janë bërë në pozitat udhëheqëse në shërbimin civil, duke e lejuar përkohësinë dhe jostabilitetin përmes përcaktimit të mandateve të kufizuara në kohë dhe rekrutimit të jashtëm për të gjitha pozitat udhëheqëse, në vend të sigurisë dhe parashikueshmërisë në karrierën e shërbyesve civilë të nevojshëm për profesionalizimin e tij. Për më tepër, ai lejon diskrecion të tepruar në rekrutimin dhe transferimin e shërbyesve civilë, duke e minuar paanshmërinë e tij. Gjithashtu, me keqardhje shohim se të gjitha ndryshimet e tilla të Ligjit për Zyrtarët Publik i janë dorëzuar Parlamentit pa konsultime paraprake publike”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Kosovë.

Share This