BE: Irani të qëndrojë i angazhuar në diplomaci

BE: Irani të qëndrojë i angazhuar në diplomaci

Kryediplomatët evropianë kanë theksuar urgjencën e vazhdimit të dialogut me Iranin, pas bisedimeve në Gjenevë që synonin uljen e tensioneve rajonale dhe ringjalljen e negociatave mbi programin bërthamor të Teheranit.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, u takua me homologët nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, si dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Bisedimet indirekte midis Iranit dhe SHBA-së filluan kur Izraeli nisi sulme kundër objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor, duke çuar në sulme hakmarrëse të Iranit. Që atëherë, sulmet e ashpra midis dy rivalëve kanë vazhduar.

Duke folur pas takimit, Kallas tha se bisedimet e bënë të qartë se “përshkallëzimi rajonal nuk i sjell dobi askujt, si dhe theksoi nevojën për të mbajtur kanale të hapura me Teheranin.

“Ne ramë dakord se do të diskutojmë çështjet bërthamore, por edhe çështjet më të gjera që kemi dhe do t’i mbajmë diskutimet të hapura për të bërë përparim”, tha ajo.

Sekretari i jashtëm britanik, David Lammy, përsëriti një mesazh të ngjashëm, duke i kërkuar Teheranit të qëndrojë në tryezën e bisedimeve.

“Ne jemi të etur të vazhdojmë diskutimet dhe negociatat e vazhdueshme me Iranin dhe i kërkojmë Iranit të vazhdojë bisedimet e tij me SHBA-në. Ky është një moment i rrezikshëm që të mos shohim përshkallëzim rajonal të këtij konflikti”, tha Lammy.

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, theksoi se iniciativa ishte koordinuar ngushtë me aleatët kryesor dhe mund të hedh themelet për negociata më të gjera. Ai tha se besojnë se kjo iniciativë diplomatike duhet të hapë rrugën për negociata.

“Erdhëm këtu pasi u koordinuam ngushtë, kolegët tanë e kanë thënë këtë, me partnerët tanë amerikan, izraelit dhe rajonal. Ministri iranian i jashtëm (Abbas Araghchi) shprehu gatishmërinë e tij dhe ne presim që Irani të hapet për diskutim, përfshirë me SHBA-në, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e negociuar përmes dialogut për këtë krizë, e cila mbart rreziqe jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe për Evropën”, tha Barrot.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, i karakterizoi bisedimet si serioze dhe konstruktive, duke theksuar hapjen e dukshme të Teheranit për angazhim të mëtejshëm. /atsh/

Share This