Bayerni, në testin e vështirë të Stambollit
Bayern Munich do të kërkojë të zgjatë rekordin e ndeshjeve pa humbje në fazën e grupeve në Champions League por nesër do të ketë një nga provat më të vështira.
Kampionët e Gjermanisë vizitojnë Gallatasarajin në ndeshjen kryesore të Grupit A, ku skuadra turke nuk shihej si favorite për t’u kualifikuar në fillim të sezonit.
Fitorja 3-2 në “Old Trafford” kundër Manchester United, pas barazimit 2-2 me Kopenhagën, bëjnë që Gallatasaraj të ketë një seri pozitive prej 17 ndeshjesh pa humbje në të gjitha kompeticionet.
Jo vetëm kaq, turqit kanë humbur vetëm një nga 10 ndeshjet e fundit në kompeticionet evropiane, nga të cilat kanë fituar gjashtë. Gjithsesi, detyra e nesërme do të jetë dukshëm më e vështirë.
Përballë është Bayern, skuadër eksperte që kryeson grupin me 2 fitore e që gjithashtu nuk njeh humbje në 15 ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet. Bayern ka bilanc pozitiv në udhëtimet në Turqi, por nesër do të ketë problem dëmtimet e shumta, raporton rtsh.
Upamekano, Gnabry, Guerreiro e Gorecka nuk do të jenë në dispozicion, ndërsa Mazraui mbetet në dyshim, edhe pse u bashkua me skuadrën në stërvitje.
Turqit nuk kanë probleme mungesash dhe do të kërkojnë t’i japin fund serisë pa fitore kundër skuadrave gjermane në Stamboll, e cila zgjat që nga sezoni 1992-93 kur mundën Eintrahtin 1-0 në Kupën UEFA.