Bayern mezi mposht Monchengladbach
Bayern Munich ka përfunduar serinë prej pesë ndeshjesh pa fitore në Borussia-Park (Monchengladbach).
Kjo pasi të shtunën ka fituar kundër skuadrës vendase në një ndeshje të vështirë për bavarezët, ku është dashur të realizojnë përmbysje.
Në ndeshjen e javës së tretë Bayern ka triumfuar me rezultat 1-2.
Vendasit kanë kaluar në epërsi në minutën e tridhjetë e tetë me golin e Itakura, çka me një rezultat të tillë është mbyllur edhe pjesa e parë.
Bavarezët provonin të gjenin golin, por nuk ia dilnin.
Bayern përfundimisht arriti golin e shumëpritur të barazimit kur Joshua Kimmich asistoi te Sane që e çoi topin tek rrjeta.
Goli i fitores është realizuar nga M. Tel vetëm tre minuta para mbylljes së kohës së rregullt.
Në tabelë Bayern ka nëntë pikë dhe gjendet në pozitën e dytë, por në situatë të njëjtë për nga pikët është edhe Bayer Leverkusen që është në vendin e parë.