Batatina me fjalë motivuese për Kosovën: Me ty së shpejti në Botëror
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina u ka kushtuar disa fjalë motivuese Përfaqësueses së Kosovës, e cila ditë më parë humbi gjitha gjasat për kualifikim në Kampionatin Evropian 2024.
Batatina nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, shkroi se së shpejti do ta shohim Kosovën në Botëror.
“Forca Kosova. Sot, nesër dhe përgjithmonë me ty. Për ty luftuam, për ty dhamë gjak, djerës dhe sakrificë që sot të jemi afër teje. Me ty së shpejti në Botëror. Forca luana s’ka dorëzim” – ka shkruar Batatina në Facebook.
Në grumbullimin e muajit nëntor te Kosova u ftuan edhe disa futbollistë të Llapit, skuadër në të cilën trajner është pikërisht, Tahir Batatina.
Ilir Krasniqi e Muhamet Hyseni ishin pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.
Madje, Hyseni realizoi në debutim për Kosovën në ndeshjen kundër Zvicrës, në barazimin 1:1, të zhvilluar në Bazel javën që lamë pas.