Bashkohen “Oasis”?

Bashkohen “Oasis”?

Liam dhe Noel Gallagher kanë shtuar spekulimet se një ribashkim i ”Oasis” më në fund mund të jetë në horizont, pasi vëllezërit ngacmuan me një njoftim të grupit, që mund të bëhej të martën.

Një klip i shkurtër i një tabele në stilin e logos së ”Oasis” u shpërnda në të dy llogaritë e tyre në Instagram të dielën në mbrëmje si dhe në faqen zyrtare të “Oasis”.

Tifozët e grupit rock të Mançesterit u janë lutur vëllezërve që të rigrupohen, që kur u shpërndanë në vitin 2009, të nxitur nga një zënkë në prapaskenë në festivalin ”Rock en Seine” në Paris.

Fjalët për ribashkim kanë qarkulluar gjatë viteve, por janë intensifikuar kohët e fundit mes zbutjes së dukshme të grindjes mes dyshes.

Një raport në “The Sunday Times” citoi persona të cilët pretendonin se vëllezërit kishin vendosur të bënin një numër koncertesh vitin e ardhshëm, përfshirë ”Wembley”-n dhe ”Heaton Park” të Mançesterit.

Liam i nxiti thashethemet duke ofruar disa përgjigje të paqarta për fansat që e vërshuan me mesazhe në mediat sociale duke kërkuar konfirmim.

Pasi “The Times” postoi artikullin në X, një fans tha se “Heaton Park është një vend i tmerrshëm për koncerte”, me Liam duke u përgjigjur ”do shihemi”.

Kur një tjetër pyeti se kur do të shpallen datat e ribashkimit, ai u përgjigj “të premten e ardhshme”.

Rokeri gjithashtu postoi në X, dje në mëngjes se “asnjëherë nuk e ka pëlqyer fjalën ish”.

Liam ka qenë në një turne në Mbretërinë e Bashkuar këtë verë në turneun e tij “Definitely Maybe”.

Noel ka munguar dukshëm në koncerte, por gjatë një shfaqjeje në Cardiff, Liam i kushtoi “Half The World Away” “vëllait të tij të vogël” duke thënë se ai “ende po luan fort për ta marrë”.

I formuar në vitin 1991, grupi pop u bë i famshëm me hite si “Wonderwall”, “Don’t Look Back In Anger” dhe “Stop Crying Your Heart Out”.

Vëllezërit vazhduan të kishin karriera të suksesshme të ndara, me Noelin në krye të grupit ”Noel Gallagher’s High Flying Birds”. /atsh/

Share This