Baseli rrezikon rënien, Taulant Xhaka i kërkon ndihmë Granitit: Do çonte aftësitë e tij dëm nëse do luante në Zvicër
Baseli si rrallëherë në dekadat e fundit në Zvicër, e sheh veten shumë pranë rënies nga kategoria.
Skuadra po vuan një seri të pazakontë ndeshjesh pa fitore dhe në vend të luftës për titull ku është përfshirë zakonisht, po lufton për të qëndruar në kategori.
Një krizë për të cilën ka folur edhe Taulant Xhaka, si një lider i kësaj skuadre.
Në një intervistë të gjatë për “Blick” ai ka folur për situatën që po kalohet brenda ekipit dhe ka zbuluar se në këtë moment krizë, po merr këshilla nga vëllai i tij, Granit Xhaka.
“Unë luftoj me veten time, mendoj shumë për atë që mund të bëj më mirë, çfarë duhet t’u përcjell bashkëlojtarëve, si dhe flas shumë me vëllain tim, Granitin. Ai e di se çfarë do të thotë presion dhe si të merret me të.
Çfarë këshillon? Se mënyra më e mirë për të heshtur kritikët është përmes performancës.
Kthimi i tij te Baseli? Sigurisht për momentin jo, por jo për shkak të krizës sonë. Ai është thjesht në formë shumë të mirë. Asgjë kundër Superligës, por sot për sot, aftësitë e tij do të shkonin dëm në Zvicër”, tha Taulant Xhaka ndër të tjera në intervistën e tij. /PS/