Barcelona mposht Las Palmas, ‘kërcënon’ Realin
Barcelona-Las Palmas ishte takimi që mbylli natën e së shtunës, në “La Liga”.
Ndeshja e luajtur në stadiumin olimpik “Lluis Companys” u mbyll me rezultatin 1-0. Që në fillim të sfidës, vendasit ishin “mbytës” për kundërshtarin, madje gjetën dhe golin me Lewandowskin në minutën e 6’ por u anulua menjëherë për pozicion të parregullt.
Me kalimin e minutave, Barcelona shtoi presionin në portën e Las Palmas dhe arriti të gjente sërish avantazhin me anë të Raphinhas, por edhe një herë tjetër goli i brazilianit u anulua për pozicion të parregullt.
Gjysma e pjesës së parë solli edhe momentin e parë delikat të ndeshjes, me portierin e Las Palmas, Alvaro Valles, që u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje ndaj Raphinhas, larg zonës së portës.
Lewandowski nuk kishte fatin me vete as në të 35-ën pasi goditja e tij me kokë u ndal në traversë.
Në fund të pjesë së parë kishte edhe tentativa nga Fermin Lopez dhe Raphinha, por goditjet e futbollistëve shkuan shumë pranë shtyllës. Me rezultatin 0-0 u mbyll pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Raphinha zhbllokoi më në fund shifrat e këtij takimi, me brazilianin që goditi me kokë krosimin fantastik të Joao Felix.
Më tej, Barcelona mirëadministroi avantazhin e krijuar, duke tentuar disa herë me Ferran Torres dhe Joao Felix, por pa rezultat. Ishte pikërisht ky i fundit që në të 78-ën pati në këmbë golin e sigurisë, por portugezi nuk u besoi syve që topi me portën e zbrazur u ndal në traversë.
Deri në fund nuk pati më ndryshim të rezultatit, me Barcelonën që shkurton për momentin në 5 pikë diferencën ndaj Realit. Madrilenët do të luajnë në shtëpi ndaj Ath. Bilbao mbrëmjen e së dielës. /SS/